10 Janar 2025

Në Maqedoni sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

Shkup, 11 dhjetor - Në orën 7 të mëngjesit në Maqedoni ka nisur procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Mbi 1 milion e 770 mijë persona janë me të drejtë vote, të cilët do të vendosin për Parlamentin e ri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që pritet të zgjidhin krizën politike.

Ata do të zgjedhin 120 deputetët nga 11 lista politike. Maqedonasit dhe shqiptarët ndajnë probleme të ngjashme, por zgjedhjet i shohin vetëm si detyrim qytetar dhe presin zgjidhje nga politika.

Sipas të dhënave të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të gjitha 3,480 qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe për momentin nuk janë regjistruar parregullsi.

Edhe organizatat që po vëzhgojnë procesin zgjedhor, përveç disa aspekteve të vogla teknike, nuk kanë raportuar për parregullsi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e vendit me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.

Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.

Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.

Një ditë më parë, të shtunën, votimet janë mbajtur në diasporë, ku nga dalja në votime do të varet nëse do të ketë edhe tre apo më pak deputetë shtesë në institucionin e ri ligjvënës.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se fletët e votimit dhe materiali tjetër i nevojshëm për realizimin e procesit zgjedhor,është shpërndarë me kohë dhe presin që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike.

Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)