Në Indi vdesin 102 persona nga helmimi prej alkoolit të paligjshëm
New Delhi, 24 qershor - Numri i të vdekurve prej helmimit nga pijet alkoolike të paligjshme në Mumbai të Indisë deri të hënën arriti në 102, ndërsa 46 të tjerë po trajtohen në spital, 8 nga të cilët në gjendje të rëndë.
Media vendore njofton se shtatë veta janë ndaluar nga autoritetet për shitje alkooli të prodhuar në mënyrë të paligjshme. Policia sekuestroi gjithashtu më shumë se 1 000 litra pije alkoolike. Përveç kësaj, tetë policë dhe katër zyrtarë të tatimeve janë pezulluar nga puna.
Çmimi i lartë i pijeve alkoolike në Indi sjell prodhimin e tyre në mënyrë të paligjshme, pavarësisht ndalimeve të përsëritura.
Në vitin 2011, 168 fshatarë në Bengalin Perëndimor vdiqën nga helmimi nga pijet alkoolike të paligjshme. Raste të tilla të ngjashme ka pasur në Indi edhe më parë.