Ndahet nga jeta deputeti i Bundestagut gjerman, Schockenhoff
Berlin, 14 dhjetor - Është ndarë nga jeta, në moshën 57 vjeçare, deputeti i Bundestagut gjerman, Andreas Schockenhoff. Shkaqet e vdekjes raportohet të janë natyrale.
Schockenhoff ishte insistues i kërkesave gjermane për zbatimin nga Serbia të marrëveshjes së Brukselit dhe njëkohësisht ishte kritikues i madh i Rusisë, pas ndërhyrjes në Ukrainë.
Ai ishte bashkëpunëtor i afërt të kancelares Angela Merkel dhe herën e fundit ishte në Kosovë muajin e kaluar.
Edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, kanë ngushëlluar familjen e Schockenhoffit, duke thënë se ai ishte mik i madh i Kosovës.
Kryeministri Mustafa ka kujtuar takimet me Schockenhof, duke e cilësuar atë si njeri që u shqua me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan.
Gjatë këtij viti u takova disa herë deputetin Schockenhof, i cili shquhej me përkushtimin e tij për demokraci, për zhvillim e prosperitet. Ishte një njeri i dashur, i sinqertë dhe një mik i madh i yni. Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ne, që e njohëm dhe bashkëpunuam me dr. Andreas Schockenhof, por edhe një ditë në të cilën shprehim krenarinë që patëm rastin të kemi një mik të tillë, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Edhe Thaçi përmes një postimi në Facebook, i ka shprehur ngushëllime Kancelares Merkel dhe partiakëve të CDU-së për vdekjen e deputetit të Bundestagut Gjerman, Andreas Schockenhoff.
Schockenhoff ishte deputet me ndikim i Bundestagut gjerman që nga viti 1990. Ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e integritetit territorial të Kosovës. Familjes së tij, Kancelares gjermane, Angela Merkel, bashkëpartiakëve të CDU-së, dhe gjithë popullit gjerman u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e një personaliteti të shquar të skenës politike gjermane dhe ndërkombëtare dhe një miku të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm të Kosovës i cili mbështeti fuqishëm vendin tonë drejt integrimeve evropiane deri në çastet e fundit të jetës. U prefsh në paqe mik, ka shkruar zv.kryeminsitri Thaçi.
Ish -ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka shkruar se Andreas Schockenhoff, ishte nënkryetar i Grupit Parlamentar të CDU-së në Bundestagun gjerman dhe njëri prej politikanëve më të suksesshëm të politikës së jashtme gjermane.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve të tij, CDU-së dhe Gjermanisë. Do ta kujtoj gjithmonë si një mik dhe përkrahës të madh të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.