NATO dhe BE do të bashkojnë forcat
Prishtinë, 21 maj - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u zotuan sot për thellimin e bashkëpunimit kundër luftës jokonvecionale duke bashkuar aftësitë e NATO-s dhe të BE-së.
Një takim i përbashkët NATO BE shqyrton rritjen e bashkëveprimit dhe koordinit ndaj rreziqeve të reja, përfshirë Rusinë dhe krizën e emigrantëve në Mesdhe.
Përpara një takimi BE NATO, zoti Stoltenberg foli për luftërat hibride të paparashikueshme që zhvillon Rusia, duke kombinuar njësi luftarake të paidentifikuara, propagandën dhe presionin ekonomik, si në rastin e aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Ka një nevojë të dukshme për koordinim të shtuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Bëhet fjalë për kibernetikën, infrastrukturën, furnizimin me energji dhe komunikimet strategjike.
NATO mendon se fondet e BE-së, rrjeti i saj i ekspertëve dhe ambasadave, si dhe njohuritë e saj ekonomike, do të plotësojnë aftësitë e aleancës ushtarake për tu përballur me probleme, si Rusia, Libia, trafiku i armëve dhe emigrantëve në Mesdhe.
Ndërkohë që po ndërmarrim hapa të rinj, si trajnimin e rojes bregdetare pranë Libisë, apo zbatimin e embargos së OKB-së për armët, do të na duhet të forcojmë kapacitetet tona. Mbështetja e NATO-s dhe bashkëpunimi me të mund të jetë thelbësor.
Megjithëse 22 nga 28 vendet anëtare të NATO-s janë edhe anëtare të BE-së, të dy organizmat janë të kufizuara në punën e tyre për shkak të tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Ndërkohë që NATO po krijon planet për përballimin e Rusisë në lindje nëpërmjet batalioneve shumëkombëshe, as NATO dhe as BE-ja nuk kanë hartuar një strategji të qartë për të përballur me militantët e Shtetit Islamik dhe dhunën sektare në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.