14 Janar 2025

NATO bllokoi hetimet e zyrtarëve në Kosovë

Prishtinë, 7 nëntor - Ish-shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen ka zbuluar prapaskenat gjatë mandatit të ushtruar në Kosovë, në vitet 2004-2006, në një intervistë për “The Guardian”.

Sipas Petersen, asokohe, misioni i udhëhequr prej tij, ka hetuar zyrtarë të nivelit të lartë, por ka hasur në rezistencë nga kryeqytetet perëndimore.

\"Në mes të vitit 2005, pas disa muajsh hetimesh për korrupsion dhe krim të organizuar në personelin e një politikani të nivelit të lartë në Kosovë, UNMIK ishte angazhuar me KFOR-in për një bastisje në mëngjes të të gjitha zyrave dhe konfiskimin e dokumenteve.\"

\"Disa orë para operacionit, unë mora një urdhër nga NATO se, anëtarë të rëndësishëm kishin kundërshtuar operacionin, sepse kishte shumë rreziqe dhe NATO duhej të tërhiqej. Ne u tërhoqëm, sepse nuk kishte opsion tjetër. Ne e ndoqëm hetimin, mirëpo asnjëherë nuk arritëm ta mbledhim dokumentacionin.” – është shprehur ai, shkruan “Kosova Sot”.

Po sipas tij, “nëse një operacion quhej i rrezikshëm për NATO-n, nuk mund të bëhej”. 

Si do të ndikojnë hetimet brenda EULEX-it në luftën kundër korrupsionit?

“Tribuna” shkruan se hetimet për korrupsionit brenda EULEX-it (misionit të BE-së në Kosovë),  mund të ndikojnë te institucionet kompetente për vazhdimin e luftës ndaj kësaj dukurie, thonë zyrtarët e lartë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Po sipas tyre, dyshimet për korrupsion në këtë mision ndërkombëtar, mund të ulin edhe besimin e qytetarëve në institucionet vendore.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni tha për “Radion Evropa e Lirë” se zhvillimet e kohëve të fundit rreth misionit të EULEX-it, janë lajme të këqija për vetë misionin, por edhe për Kosovën. Ai thekson se “rrezikohet mendimi që do të krijojë publiku për mosbesueshmërinë në institucionet vendore dhe ndëkombëtare”. “Këto probleme, që tani po dalin, tregojnë se nuk qenka gjithçka e bardhë edhe të institucionet ndërkombëtare”, theksoi Preteni.

Ndërsa Kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, tha se, pavarësisht asaj se çka thuhet lidhur me dyshimet për korrupsion në EULEX, nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në përkushtimin e institucioneve për ta luftuar korrupsionin. “Nuk do ta zbehë, përkundrazi, prokurorët do të jetë të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Mirëpo, do të ishte mirë të mos pengohen prokuroret në hetime, pa marrë parasysh për të cilat raste është fjala”, tha Hoxha.

Ndërsa ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, një ditë më parë, në një debat me shoqërinë civile ka folur edhe për korrupsionin dhe përfshirjen e liderëve politikë në afera korruptive. Sipas saj, “asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, qoftë ajo në pushtet, apo partitë e bllokut, pasi që disa prej liderëve apo zyrtarëve të tyre janë të përfshirë në raste të dyshuara për korrupsion”.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka njoftuar se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor i cili do të merret me akuzat për korrupsion të lartë brenda EULEX-it në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)