Mustafa, po merr pjesë në Kongresin e EPP-së në Spanjë
Madrid, 21 Tetor - Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në nw kryeqytetin e Spanjës, Madrid.
Gjatë punimeve të Kongresit, kryeministri Isa Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së.
Udhëheqësi i Asamblesë Politike, z. Joseph Daul në emër të EPP-së, përshëndeti kryeministrin Isa Mustafa në mënyrë të veçantë.
Daul theksoi edhe me këtë rast mbështetjen për kryeministrin Mustafa dhe LDK-në dhe besimin e EPP-së në Qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja.
Daul shprehu shqetësimin e thellë për sulmet jodemokratike si dhe personale kundër kryeministrit Isa Mustafa dhe familjes se tij. Ai e siguroi kryeministrin Mustafa për mbështetjen e fuqishme të EPP-së, në punën e Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu, gjatë punimeve të këtij Kongresi, kryeministri Isa Mustafa u takua me z. Lulzim Basha nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Komisionerin Johannes Hahn, si dhe sekretarin gjeneral të Partisë Popullore Austriake.
Kryeministri Isa Mustafa bisedoi edhe me përfaqësuesit e Partisë Nacionale Liberale të Rumanisë, si dhe me zonjën Corien Wortmann-Kool, nënkryetare e EPP-së.
Gjatë punimeve të Kongresit, kryeministri Isa Mustafa do të takohet edhe homologë të tjerë si dhe do tiu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.