12 Janar 2025

Mustafa i kërkoi Vatikanit shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës

New York, 30  shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, u takua në New York me sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher.  

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO.  

“Kosova, si një shtet evropian dëshiron të jetë pjesë e programeve shkencore, arsimore si dhe  të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kuadër të UNESCO-s. Rinia kosovare e meriton të jetë pjesë e këtyre programeve, duke qenë se ndan të njëjtat vlera si të gjithë të rinjtë e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi sekretarin Gallagher për përkrahjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën për dekada të tëra, duke theksuar marrëdhëniet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë që nga koha e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, e falënderoi sekretarin Gallagher për ndjenjat pozitive dhe përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën.

Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu theksoi  rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke thënë se kjo do të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe proceseve në Kosovë dhe rajon.

Sekretari për Marrëdhënie me Shtete i Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher, vlerësoi progresin në Kosovë dhe hapat e Kosovës në raport me proceset demokratike në rajon dhe më gjerë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)