Mustafa e Vuçiq sot takohen në Bruksel
Bruksel, 23 qershor - Takimi i cili pritet te mbahet sot mes delegacionit të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa dhe atij serb, nga kryeministri Aleksander Vuçiq në Bruksel, pritet të sjellë marrëveshje të reja.
Kështu ka thënë Valon Murtezaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ka thënë se Kosova pret marrëveshje për telekomin, por që mund të dalin probleme tek pala serbe, e cila sipas Murtezajt është shumë destruktive.
Në fushën e telekomit ka përafrime dhe në aspektin e energjisë, por nuk ka marrëveshje përfundimtare në asnjë prej këtyre temave. Në fushën e telekomit supozoj se do të arrihet marrëveshje nesër, edhe pse nuk mund të parashikojë se çfarë do të thonë pala tjetër. Kështu është kur ke të bësh me një palë destruktive, tha Murtezaj.
Ai tha se nuk pritet të ndodhë menjëherë heqja e barrikadës mbi Urën e lumit Ibër, por të paktën të arrihet një marrëveshje që në të ardhmen të ndërmerren vendime.
Ky takim është momenti i mirë për të shpalosur qëndrimet për të gjitha temat. Fokusi i Kosovës do të jetë në kuadër të telekomit, energjisë, lëvizjen e lirë, heqjeve barrikadave dhe shpërndarjen e strukturave paralele në veri të Mitrovicës, tha Murtezaj për Klan Kosova.