Moon i tronditur nga dhuna e policisë hungareze ndaj refugjatëve
New York, 17 shtator - Ban Ki Moon, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, është shprehur se ka mbetur i tronditur nga dhuna e policisë hungareze ndaj refugjatëve.
Ditë e mërkurë, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të zmbrapsur emigrantët nga kufiri.
Një trajtim i tille i azilkërkuesve është i papranueshëm, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së.
Në përleshjen e dhunshme në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë,u përfshinë qindra emigrantë, në përpjekje për të kaluar gardhin me tela me gjemba.
Ndërkohë, autoritetet hungareze, duke mbrojtur policinë është shprehur se të paktën 20 oficerë policie kishin mbetur të plagosur teksa refugjatët përpiqeshin të kalonin barrierën.
Madje, një zëdhënës i forcave të rendit tha se shumë prej tyre po përdornin fëmijët si mburojë.
Me mbylljen e kufirit hungarez, gjithnjë e më shumë refugjatë nga Siria e Iraku po marrin rrugën për në Kroaci. Shumica e tyre shmangin kalimin zyrtar, edhe pse ai është i hapur.