Mogherini: Qartësimi i akuzave ndaj EULEX-it është në interesin tonë
Bruksel, 26 mars - Më shumë se 100 ditë kanë kaluar prejse ish-ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, ka nisur mandatin e saj në postin e nënkryetares së Komisionit Evropian dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Mogherini për herë të parë në këtë cilësi viziton Kosovën dhe Serbinë, dy vende të cilat zënë një hapësirë të rëndësishme në agjendën e saj, pasi ajo ka marrë përsipër edhe lehtësimin e dialogut në nivel të lartë mes këtyre dy shteteve, apo, siç thonë në BE, \"mes Beogradit dhe Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Deri më tash në kuadër të këtij dialogu është zhvilluar vetëm një takim mes dy kryeministrave ndërkohë që kanë vazhduar takimet në nivel teknik.
Mogherini që në ditën e parë të saj të punës si shefe e diplomacisë së përbashkët të BE-së është dashur të merrej edhe me një temë jo të këndshme, me dyshimet serioze që janë paraqitur për korrupsion në radhët e EULEX-it, misionit më të madh të BE-së në fushën e rendit dhe të ligjit.
Për të dëshmuar se e merr seriozisht këtë çështje, ajo menjëherë ka emëruar një ekspert të pavarur të jashtëm për të bërë hetime për këto dyshime, por jo hetime penale që do të zëvendësonin ato që bëhen brenda vetë EULEX-it.
Ajo është dashur për këtë të flasë edhe para deputetëve të Parlamentit Evropian.
Mogherini ka një rol të rëndësishëm në përbërjen e re të Komisionit Evropian dhe ajo koordinon edhe komisionarët, të cilët në portofolin e tyre kanë elemente të politikës së jashtme dhe sigurisë, ndër të cilat janë edhe politika ndaj fqinjësisë evropiane dhe ajo e zgjerimit, përcjell Koha.net. Kosova si një vend në mes perspektivës evropiane dhe pranisë së madhe të BE-së në territorin e saj është gjithsesi ndër temat kryesore në punën e zonjës Mogherini, e cila në postin e saj të tashëm e ka zëvendësuar baroneshën Catherine Ashton.
Ajo edhe më parë ka qenë në Kosovë, por si ministre e Jashtme e shtetit të saj. Në këtë intervistë për Kohën Ditore, Mogherini flet për vazhdimin e dialogut, dyshimet për korrupsion në misionin e EULEX-it dhe për çështje të tjera të lidhura me raportet mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.