Ministrja Tahiri vizitoi Turqinë
Izmir, 3 shkurt - Ministrja për dialog e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Izmir të Turqisë ku është takuar me kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoğlu, me ministrin e Ekonomisë, Nihat Zeybekçi, ministrin e Pylltarisë dhe Ujërave , Veysel Eroğlu, ish-ministrin e Transportit Detar dhe Komunikimit, Eski Ulaştırmasi dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Turko-Shqiptare, Rifat Sait.
Gjatë qëndrimit në Izmir, ministrja Tahiri ka marrë pjesë në Kongresin e partisë AP të qytetit të Izmirit si dhe ka zhvilluar një takim të veçantë me kryeministrin e Turqisë,. Ahmet Davutoğlu.
Ministrja Tahiri dhe kryeministri i Turqisë Davutoglu janë pajtuar për thellimin e më tejmë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Turqisë në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë si dhe është konfirmuar gatishmëria e Turqisë për tu angazhuar në rritjen e njohjeve për Kosovës nga vendet e ndryshme. Me këtë rast, u konfirmua se të dyja shtetet ndajnë vlera të përbashkëta euro-atlantike dhe në këtë kontekst u vlerësuan angazhimet serioze të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal.
Ministrja Tahiri e falënderoi kryeministrin Davutoğlu për mbështetjen që Turqia po ia jep Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë duke lobuar në shtimin e numrit të njohjeve, poashtu për përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të dyja vendeve. Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar për miqësi të fuqishme mes të dyja vendeve dhe thellimit të marrëdhënieve të mira në të gjitha fushat.
Nga ana e tij, Kryeministri Ahmet Davutoğlu e ri-konfirmoi mbështetjen e pa rezervë të tij dhe shtetit turk për Kosovën, dhe tha se do të vazhdoj që të angazhohet për forcimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, duke paralajmëruar edhe një vizitë të shpejtë në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, ministrja Tahiri poashtu ka vizituar shoqatën e shqiptareve të Kosovës në Izmir me ç rast është pritur nga kryetari i shoqatës, Ibrahim Şengöz dhe nga ish-deputeti i Parlamentit Turk, Muharrem Toprak, e ku ishin prezent edhe përfaqësuesit e shoqatës së shqiptarëve të Çamërisë të shpërngulur në Turqi. Ministrja Tahiri në fjalën e mbajtur pranë të pranishmëve në këtë shoqatë tha se diaspora shqiptare në Turqi është model i ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe zakoneve, ajo tha se shqiptarët e Turqisë po luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë dhe i ftoi ata që të vijnë e të investojnë në Kosovë.
Ndërsa kryetari i shoqatës, Ibrahim Şengöz foli për angazhimet për sjelljen e investitorëve të Izmirit në Kosovës. Z. Şengöz tha se nga kjo shoqatë kanë dalë emra të njohur dhe të respektuar në shtetin e Turqisë mes tyre kryetari i ndjerë i Izmirit, Ahmet Piriştinai cili ishte edhe deputetët i parlamentit të Turqisë, deputeti aktual i Parlamentit të Turqisë, Rifat Sait dhe ish deputetët Muharrem Toprak dhe Süha Tanık, të cilët kanë dhënë kontribut për Kosovën si dhe gjithë shqiptarët dhe shoqatat shqiptare në Turqi.
Në këtë vizitë, Ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga këshilltari kryesor politik i saj, Dren Zeka.