Ministri Murati, takoi komunitetin shqiptar në Britani të Madhe
Londër, 16 shkurt - Ministri i Diasporës së Republikës së Kosovës, Valon Murati, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe mësimëdhënës të shkollave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Britani të Madhe.
Në takimin e mbajtur në shkollën fillore Haverstock School, në Londër, të pranishëm ishin edhe afaristë, studentë dhe bashkatdhetarë të cilët jetojnë në Mbretëri të Bashkuar.
Takimin e hapi Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, i cili falënderoi bashkatdhetarët e pranishëm për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në të mirë të komunitetit, ndërsa Ministri Murati, duke e theksuar natyrën njoftuese të takimit, pas marrjes rishtazi të detyrës së Minsitrit të Diasporës në Qeverinë e Kosovës, i informoi përfaqësuesit e shoqatave për progresin dhe punën e bërë më tani në avancimin e komunikimit dhe ndihmën e ofruar për diasporën.
Ai gjithashtu shpalosi planet e MeD, të cilat, siç tha ai, do të bazohen në tri elemente kryesore: nënshkrimin dhe implementimin e planprogramit të përbashkët me Republikën e Shqipërisë për mësimin plotësues në shkollat e diasporës; ndërtimin e një qasjeje të re dhe të shumëanshme ndaj diasporës, e që i merr për konsideratë nevojat e ndryshme dhe evoluimin e saj në gjenerata të dyta e në disa vende edhe të treta; si dhe krijimin e një strategjie e cila do të ofronte kushte më të mira dhe procedura të lehtësuara për afaristët nga diaspora të cilët mëtojnë të investojnë në Kosovë.
Një ndër objektivat kryesorë është edhe krijimi i programeve të përbashkëta për diasporën në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Kjo për arsye se, Ministri Murati theksoi që ne e kemi një diasporë të përbashkët dhe ashtu do ta trajtojmë.
Gjatë takimit, Ministri Murati u përgjigj në pyetje të shumta nga përfaqësuesë të shoqatave shqiptare dhe u njoftua me brengat dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet komuniteti shqiptar në Mbretëri të Bashkuar.