Mimoza Kusari - Lila po zhvillon një sërë takimesh në SHBA
Washington, 16 mars - Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari - Lila, e cila këto ditë po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është duke zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të politikës por edhe përfaqësues të organizatave tjera, me të cilët temë kryesore është gjetja e formave të bashkëpunimit me komunën e Gjakovës.
Në kuadër të kësaj, Kusari Lila ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e këshillit të qytetit Fort Dodge City të shtetit të Iowas, konkretisht me Chad Schaeffer, Drejtor i Departamentit të Inxhinierisë dhe Biznesit, Terry Moehnke dhe Kim Alstott anëtare të Këshillit të Qytetit si dhe Rhonda Chambers, Drejtore e Aviacionit dhe Mark Campbell mbikëqyrës i webster County.
Me qytetin Fort Dodge City Gjakova po synon ta ngrisë një nivel të lartë të bashkëpunimit në sferën e e ekonomisë, arsimit dhe turizmit.
Me delegacionin nga Iowa Kusari Lila është dakorduar për hapat e radhës në formalizimin e bashkëpunimit me fokusin në identifikimin e industrive potenciale që do të mund të niseshin në Gjakovë, në programin e shkëmbimit të studentëve si dhe në lëminë e promovimit të ndërsjelltë të turizmit.
Deri në muajin Maj pritet që Komuna e Gjakovës dhe Fort Dodge City të kenë marrëveshjen e finalizuar në fushat e lartcekura dhe menjëherë të fillojmë me implementimin e saj në gjysmën e dytë të këtij viti.
Në një takim tjetër, kryetarja Kusari Lila e ka pritur në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Washington dy Zëvendës Presidentët e Heritage Foundation, z. Jack Spencer dhe z. James Jay Carafano si dhe Analistin Anthony B. Kim. Në këtë takim u bisedua për reformat e ndërmarra dhe ato që duhet të ndërmerren në Kosovë për liritë ekonomike, për politikat nacionale dhe regjionale zhvillimore si dhe konkretisht për planet dhe investimet kapitale në Kosovë dhe në Komunën e Gjakovës.
Në përmbyllje të ditës, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka zhvilluar edhe një tjetër takim, kësaj radhe me qytetarë të ndryshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët në mënyrë profesionale e përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë jo vetëm në dy ambasadat respektive, por edhe në institucione tjera amerikane e botërore. Në këtë takim prezentë ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber.