Merkel: Rruga deri në BE varet individualisht nga shtetet
Në përvjetorin e 100 të fillimit të Luftës së Parë Botërore, është koha që ti jepet formë të ardhmes, duke kapërcyer kujtimet e hidhura nga konfliktet. Merkel ka thënë se perspektiva e përbashkët evropiane që do ti ulë në një tryezë lidershipet e Ballkanit Perëndimor, është reale, por vetëm përmes përkushtimit të plotë dhe plotësimit të reformave të nevojshme.
Ne fatkeqësisht akoma i kemi të freskëta kujtimet e luftërave të tmerrshme, prandaj kjo konferencë do të organizohet që të tregojë se ne shkojmë përpara, se i kemi kapërcyer konfliktet dhe kjo është shenjë e mirë. Ne u premtojmë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në BE dhe qëndrojmë fuqishëm pas këtij premtimi.
Por varet nga vet shtetet se kur dhe si do të anëtarësohen në BE, secila nga këto shtete duhet të përmbush kriteret e anëtarësimit, përmes reformave strukturore, përmes reformave në sundimin e të drejtës, luftës kundër korrupsionit, strukturave transparente, deklaroi AngelaMerkel, kancelare gjermane.
Konferenca e Berlinit kushtuar Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 28 gusht, ndërkohë që në tryezën e bisedimeve do të ulen kryeministrat e vendeve përkatëse, ministrat e jashtëm dhe të ekonomisë.