Meksika goditet nga një tërmet 7,1 ballësh
Mexico City, 20 shtator - Vendi i Amerikës së Jugut, Meksika, të martën në mbrëmje është tronditur edhe një herë nga një tërmet me madhësi 7,1 ballë sipas shkallës Rihter.
Sipas përcaktimeve të para numri i viktimave është mbi 200.
Epiqendra e tërmetit ka qenë qytetin Puebla, 123 km larg nga kryeqyteti Mexico City, 43 km nën tokë.
Me dhjetëra ndërtesa janë shembur në kryeqytetin Mexico City nga lëkundjet e magnitudës 7,1 të shkallës Rihter. Shkatërrimi i një shkolle, nga sa pohoi vetë presidenti Enrique Pena Nieto, i ka marrë jetën 20 fëmijëve, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
“Është një shkollë në jug të qytetit, një shkollë private, pjesa më e madhe e së cilës është rrënuar sërish. Për fat të keq, kanë humbur jetën fëmijë të vegjël që nga klasa e parë e shkollës fillore. 22 trupa janë gjetur deri tani atje, dy janë të rritur. Me dhjetëra fëmijë nuk gjenden ende. Ekipet e emergjencës janë angazhuar maksimalisht në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Në atë zonë janë zhvendosur më shumë se 500 persona, ushtarë e marinsë”, tha Presidenti i vendit.
Punonjësit e shpëtimit kanë përdorur gjatë natës prozhektorët për të kërkuar në gërmadha. Tërmeti erdhi pikërisht në kohën kur shumë njerëz ishin duke marrë pjesë në një simulim situate nga luhatjet e tokës pikërisht në 32-vjetorin e tërmetit që vrau me mijëra vetë në Mexico City.
Tërmeti i djeshëm ndodhi në përvjetorin e tërmetit me magnitudë 8,1 ballë sipas shkallës Rihter që kishte rënë në 19 shtator 1985 në Meksikë.
Në këtë fatkeqësi kishin humbur jetën 6 deri në 12 mijë njerëz.