11 Janar 2025

Mbahen takimet e dialogut për Lëvizjen e Lirë dhe Kadastrin

Prishtinë, 28 tetor - Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri ka qëndruar dje në Bruksel për të marrë pjesë në takimet e dialogut për Lëvizjen e Lirë dhe Kadastrin.

Në fillim, ministrja Edita Tahiri shprehu falënderimet me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim - Asocimit në mes të Kosovës dhe BE-së, dhe theksoi se kjo është një nga arritjet më të mëdha në progresin e Kosovës drejt BE-së që nga fillimi i dialogut, qëllimi i të cilit përveç që është normalizimi i marrëdhënieve në mes dy shteteve, është edhe përafrimi i të dyja shteteve me BE-në.

Nga ana e tyre edhe përfaqësuesit e BE-së e uruan Kosovën për këtë sukses dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e mirë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Lidhur me çështjet e lëvizjes së lirë që u diskutuan në takimet bilaterale dhe trelateralë në Bruksel, pala e Kosovës njoftoi për përgatitjet që po bëhen për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje në frymën e reciprocitetit dhe lehtësimit të mëtejmë të lëvizjes së qytetarëve nga të dyja shtetet.

Delegacioni i Kosovës potencoi se pas katër viteve të arritjes së kësaj marrëveshjeje ka ardhur koha për avancimin e zbatimit konform planit operacional të marrëveshjes dhe në frymën e standardeve evropiane.

Ndërsa sa i takon kadastrit takimet ishin bilaterale (në mes të Kosovës dhe BE-së) ku BE-ja kërkoi nga pala e Kosovës që të përshpejtojë miratimin e ligjit dhe t’i bëjë përgatitjet për themelimin e Agjencisë teknike e cila do të ketë për detyrë krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen nga Serbia me bazën e të dhënave të Kosovës.

Me këtë rast delegacioni i Kosovës njoftoi BE-në me parapërgatitjet për të implementuar marrëveshjen menjëherë sapo Kuvendi i Kosovës ta miratoj këtë ligj i cili është momentalisht në lexim të dytë.

Delegacioni i Kosovës ishte në përbërje të ministres për Dialogun, Edita Tahiri si kryenegociatore në dialogun teknik, e shoqëruar nga Dren Zeka, këshilltar kryesor politik,  Driton Gashi, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qemajl Marmullakaj, Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM si anëtarë të delegacionit për çështjen e lirisë së lëvizjes,  kurse në grupin për kadastrin ishin: Besim Kajtazi, Drejtor i Zyrës Ligjore në ZKM, Florije Kika, ushtruese e detyrës së zëvendësdrejtorit në Agjencinë Kosovare të Pronës dhe Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator politik për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dokumentacionit kadastral.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)