Marrëveshja për sigurimin e automjeteve nis zbatimin më 12 gusht
Bruksel, 5 korrik- Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e mbajtur në Bruksel lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve.
Në këtë takim, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, u arrit pajtimi që më 12 gusht 2015 të filloj zbatimi i Marrëveshjes për sigurimin e automjeteve në mes të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë këtij takimi, të dyja palët raportuan për finalizimin e përgatitjeve teknike për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues. Palët u zotuan që me përkushtim do të zbatojnë këtë marrëveshje e cila është lehtësuar dhe garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Byrove Evropiane.
Me ketë rast, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, theksoi se pas këtij takimi çdo gjë është gati që të fillojë zbatimi i marrëveshjes për sigurimin e automjeteve që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës sepse u hiqet një barrë e pagesës së tarifave të larta dhe se tani e tutje nuk kanë nevojë të paguajnë tarifa shtesë gjatë kalimit në Serbi.
Kjo marrëveshje kontribuon për përmirësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e të dyja shteteve dhe është në pajtim me standardet evropiane për lëvizjen e lirë.
Në orët e pasdites, përkatësisht në ora 17:00 delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga znj. Tahiri pritet të takohet me presidentin e Këshillit të Byrove Evropiane (KBE), z. Jean Zenners. Gjatë këtij takimi do të diskutohet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës, me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dhe Këshillit të Byrove Evropiane, zbatimi i kritereve të KBE-së nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove.
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri ka në përbërje: Rrahim Pacolli, udhëheqës teknik për çështje të sigurimeve; Shaban Guda, nga Policia e Kosovës, Faton Abazi, drejtor i BKS; Fatmir Gashi, zv. Guvernator i BQK; Faton Pacolli, BKS; Rifat Kelmendi, BKS dhe Qemajl Marmullakaj, koordinator në dialog.