Marrëveshja nuk garanton heqjen e barrikadave
Beograd, 3 dhjetor - Arritja e një marrëveshjeje mes Edita Tahirit dhe Borislav Stefanovicit nuk do të garantonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Refuzimi i kryetarëve ilegalë të komunave në veri të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes eventuale do të bënte të pamundur jetësimin e saj dhe kthimin e normalitetit në rrugët e veriut.
Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, i ka thënë Kohës Ditore se vullneti i komunarëve paralelë veriorë duhet të merret parasysh, përndryshe zbatimi i çdo marrëveshjeje do të ngecë.
Ata janë faktorë, zbatues bile. Ata nuk duan që t`i shohin doganierët e Kosovës në këto dy pika kufitare. Opinioni i tyre nuk mund të refuzohet. Ata duhet të jenë pjesë e procesit. Përndryshe të gjithë mund të kemi probleme gjatë zbatimit, ka thënë Ivanovic.
Sipas tij, edhe nëse do të arrihej marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, nuk dihet nëse do të hiqeshin barrikadat.
Nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje, sepse nuk dihet. Shqetësimet e tyre duhet të adresohen dhe nuk duhet të injorohen nga askush. Barrikadat janë mjet e jo qëllim. Duhet të gjejmë një zgjidhje për heqjen e tyre një nga një, ka thënë Ivanovic.
Sekretari në ministrinë serbe, që dikur ka qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, të premten ka qenë i angazhuar në procesin e konsultimeve të gjata me KFOR-in, UNMIK-un, faktorët tjerë ndërkombëtarë në veri dhe me përfaqësuesit e komunave për heqjen e barrikadave.
Sipas Ivanovicit, përfaqësuesit e komunave janë lënë anash, dhe ka qenë dashur të jenë më të përfshirë në vendimmarrje. Për mendimin tim personal ata duhet të ishin deri më tash pjesë e procesit duke u konsultuar para se të bëheshin marrëveshjet. Ata duhet të jenë pjesë e gjithë procesit, ka thënë Ivanovic.