12 Janar 2025

Maqedonia në protesta masive për rrëzimin e qeverisë “Gruevski”

Shkup, 17 maj - Opozita maqedonase sot do të mbajë protestën masive në Shkup për largimin e qeverisjes aktuale të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Paralajmërimet janë se do të jetë kjo protesta më e madhe deri tani e mbajtur në Maqedoni. Ajo është një lloj kulmi i protestave të përditshme që shpërthyen në Shkup dhe qytete të tjera, që nga fillimi i publikimit të të ashtuquajturave “bomba” –telefonatave të përgjuara që zbulojnë afera të shumta korruptive dhe veprime jodemokratike të Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij partiakë dhe qeveritarë.

Mijëra aktivistë dhe simpatizantë të partive opozitare maqedonase, përfaqësues dhe përkrahës të shoqërisë civile maqedonase dhe shqiptare, qytetarë të komuniteteve të ndryshme kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë protestë që nis në orën 14.00.

Drejtues lokalë të opozitës kanë theksuar se kanë probleme dhe pengesa në transportimin e protestuesve drejt Shkupit.

Organizator kryesor i protestës është partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, me në krye liderin Zoran Zaev, por atë e kanë përkrahur edhe shumë organizata qytetare, ndër të cilët edhe Plenumi i Studentëve, i cili ka mobilizuar pjesën më të madhe të popullatës studentore.
 
Protesta do të organizohet para Qeverisë, ndërsa lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka theksuar se nuk do tërhiqen nga protestat dhe se do të qëndrojnë të ngujuar para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Forca të mëdha policore kanë shtuar masat e sigurisë për protestën, ndërsa edhe opozita maqedonase ka bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Në protestën e opozitës do të marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni, ish-ambasadorë të vendeve europerëndimore, eurodeputetë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët përkrahin përpjekjet e opozitës për rikthimin e demokracisë dhe besimin tek institucionet, pas aferës së përgjimeve e cila nxjerr në sipërfaqe kontrollin e fuqishëm të shtetit nga ana e klikës aktuale shtetërore.

Ndërkohë, partia në pushtet VMRO-DPMNE, për të hënën ka paralajmëruar një kundër-protestë, e cila ka në shënjestër opozitën dhe, siç thuhet, “tentimin e saj për të destabilizuar vendin”.

Mbi 300 mijë protestues nga të gjitha qytetet e vendit do të mblidhen në Shkup për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeministrit, Nikolla Gruevski për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion, krim të organizuar, vrasjen e gazetarit Mlladenov dhe të riut 23-vjeçar Neshkovski që u godit deri në vdekje nga truproja e tij.

Protestës, që pritet të jetë më e madhja në Shkup, pritet t’i bashkon edhe një numër i madh i shqiptarëve, të cilët u prekën nga përplasja në Kumanovë mes policisë maqedonase dhe grupeve të armatosura.

Ambasadorë dhe ish-ambasadorë të huaj do të jenë në radhët e para të protestës.

Prezencën e ka paralajmëruar Ervan Fuere dhe shumë ambasador të huaj të akredituar në Maqedoni.

Me këtë garantohet se protestat do të jenë të qeta dhe demokratike ku qytetarët e Maqedonisë për herë të parë në histori do të kenë mundësin që të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë të qetë dhe të sigurt ndaj qeverisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski që dyshohet sipas opozitës se është i përfshirë në vrasje, krim dhe korrupsion.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)