Maqedoni-Serbi me ambasada të përbashkëta
Shkup, 16 shtator - Pas deklaratës së djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati për hapjen e një konsullate të përbashkët në Itali për shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës, një tjetër hap të ngjashëm kanë ndërmarrë Maqedonia dhe Serbia.
Serbia dhe Maqedonia firmosën dje marrëveshjen për hapjen e përfaqësive të përbashkëta diplomatiko konsullore, pas një ceremonie në Shkup të dy ministrave të Jashtëm Ivica Daçic dhe Nikola Popovski.
Konsiderojmë se ky përbën një hap plotësues si në aspektin financiar ashtu edhe në racionalizim e resurseve që janë të domosdoshme dhe që në kushte të krizës financiare dhe ekonomike në BE, janë shumë të rëndësishme, deklaroi Daçiq.
Në fjalën e tij, ministri Popovski tha se kështu do të kursehen mjete financiare të shteteve përkatëse.
Qëllimi është të gjejmë hapësira që të dyja palët të kursejnë shpenzimet. Kjo është ideja, deklaroi Popovski.
Sipas zyrtarëve për këtë model bashkimi të ambasadave është marrë shembulli i vendeve skandinave. Një vendim i tillë ka mobilizuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë kushte të përbashkëta teknike.