Makolli: Prekazi është vend i cili na bashkon të gjithëve
Prishtinë, 6 korrik - Bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë, nëpër territorin e Serbisë, duhet të kenë kujdes të madh, ngase nga Serbia mund të pritet gjithçka. Këtë porosi e jep ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në një intervistë për Radio Kosovën.
Ai ka deklaruar se tash është krijuar një praktikë në Kosovë me organizimin e aktiviteteve me rastin e qëndrimit të mërgatës në Kosovë, gjatë pushimeve verore.
"Gjithsesi, në këtë kuadër, ne kemi marrë një mori veprimesh në drejtim të organizimit të aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive, e të tjera, të cilat do të ndodhin në të gjitha komunat e Kosovës. Kemi një bashkëveprim shumë të mirë me autoritetet lokale për të organizuar pritje sa më të mira të mërgatës këtu.
"Në këtë aspekt, kam parasysh gjithnjë, që pothuajse pjesa qendrore e këtyre organizimeve, do të jetë vetë mërgata, e cila do të paraqes vlerat që krijohen në mërgatën tonë, sepse tash kemi një mërgatë, e cila jo vetëm që është kultivuese e vlerave kombëtare, por edhe krijuese e përditshme e këtyre vlerave. Po ashtu, kemi ndërmarr veprime bashkë me autoritetet tjera, qofshin të nivelit lokal, qofshin qendror, për të garantuar një efikasitet të administratës së shtetit, në përgjigje të nevojave që ka mërgata jonë", ka pohuar ai.
Sipas tij tashmë janë marrë të gjitha veprimet për të rritur kapacitetet e nëpunësve civilë për tu ardhur në përgjigje nevojave të mërgimtarëve, sikurse, po ashtu, edhe me autoritetet e rendit, por edhe autoriteteve doganore, për lehtësimin e procedurave gjatë kalimit të pikave kufitare, qofshin përmes rrugëve tokësore, qofshin përmes Aeroportit të Prishtinës.
Nakolli ka bërë të ditur se do të ketë aktivitete kulturore të fushave të ndryshme, ekspozita të fotografive, piktura, drama, promovime të botimeve të mërgimtarëve, lojëra të ndryshme sportive, do të jetë kampi veror për nxënësit e mërgatës, sikurse, po ashtu, do të organizohen edhe aktivitete të tjera, me qëllim që të rinjtë tanë të mërgatës të njihen me Kosovën.
"Po ashtu, do të organizohen një mori debatesh nga fusha të ndryshme, veçmas me investitorë potencialë nga ana e mërgatës, për ti njoftuar më detajisht për mundësitë ligjore që ka Kosova, por edhe për potencialin edhe njerëzor edhe natyror që ka Kosova. Tashmë, parashihet që të jetë edhe dita qendrore e mërgatës, parashihet edhe me ligj. Kjo ditë do të shënohet në Prekaz, që do të jetë në fillim të muajit gusht", ka theksuar ai.
Makolli ka vlerësuar se Prekazi është vend i cili na bashkon të gjithëve, vendi ku rreh shpirti i Kosovës së re. Edhe ashtu, secili mërgimtar që vjen në Kosovë e viziton Prekazin.
"Ai vend ka filluar të shndërrohet në një vend të shenjtë për gjithë shqiptarët dhe kemi vlerësuar dhe vlerësojmë se vendi më adekuat për të mbledhur mërgimtarët tanë, është pikërisht Prekazi, për të marrë energji të reja, për të rishikuar, njëkohësisht të kaluarën tonë, por edhe për të marrë energji të reja, në rrugën tonë të mëtejmë, drejt zhvillimit të vendit por edhe të mërgatës", ka pohaur ai.