LSDM do të mbajë protestën më 17 maj dhe publikimin e përgjimeve
Shkup, 12 maj - Partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM ka vendosur që më 17 maj të mbajë protestën e paralajmëruar masive, ndërsa njëkohësisht do të vazhdojë me publikimin e materialeve të bisedave të përgjuara që zbardhin skandale kriminale dhe korruptive të pushtetit aktual.
Kryesia e ngushtë partiake ka vendosur që të mbahet protesta, edhe pse ka pasur dilema dhe mendime kontradiktore, për gjoja mundësinë e eskalimit dhe provokimit të situatës. Protesta është caktuar më 17 maj.
Edhe Sofija Kunovska, ka vërtetuar se shumica e anëtarëve të LSDM-së kanë vendosur që protesta të mbahet, por nuk saktësoi nëse ora e mbajtjes së protestës është ora 14.00. LSDM ditëve në vijim do të shpalos edhe agjendën lidhur me protestën dhe publikimin e materialeve të tjera të përgjimeve. (INA)