Lituania partner evropian i Kosovës
Gjatë takimit ndërmjet kryeministrit Mustafa dhe kryeparlamentares Grauinienė u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në shumë fusha.
Duke ofruar përkrahje për Kosovën, kryetarja e Parlamentit Grauinienė shprehu gatishmërinë e institucioneve të Lituanisë për të ndarë përvojat me institucionet kosovare lidhur me integrimet në BE e NATO, si dhe reformat legjislative që kërkohen në këtë rrugë.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi për mbështetjen e Lituanisë për Kosovën në të gjitha fazat, duke përfshirë proceset integruese evropiane.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, e njoftoi për progresin në Kosovë, për punën e Parlamentit të Kosovës si dhe proceset tjera në vend.
Republika e Kosovës i ka dhënë prioritet kryesor zhvillimit ekonomik dhe proceseve integruese evropiane, dhe reformat legjislative janë vendimtare në arritjen e zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE, theksoi kryeministri Mustafa.
Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkevičius, u bisedua për rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, hapat e mëtejmë integrues të Kosovës, zhvillimin ekonomik, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja.
Ministri Linkevičius, shprehu përkrahjen e plotë të Lituanisë për qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me këto procese.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi për përkrahjen e Lituanisë në proceset e rëndësishme ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetje të mëtejme në rrugën integruese evropiane, me theks të veçantë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.