Lehne: Mbështetja amerikane për Kosovën nuk pritet të ndryshojë
Prishtinë, 11 shkurt - Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Donald Trump do të angazhohet më pak për Ballkanin në përgjithësi, por linjat e përgjithshme të SHBA-së karshi Kosovës nuk pritet të ndryshojnë, ka thënë në një intervistë për Deutsche Welle, Stefan Lehne, ekspert për politikën e jashtme të Bashkimit Europian në fondacionin Carnegie Europe, në Bruksel.
Lehne thotë se në Serbi ka njerëz që shpresojnë se Trump do të largohet nga mbështetja tradicionale për Kosovën, \"por unë do të habitesha shumë nëse do të kishte ndryshime tejet themelore në politikën amerikane në këtë drejtim.
Ka pasur artikuj që sinjalizojnë një hapje për riorganizimin territorial të Ballkanit. Kjo sipas tij është absolutisht e pakuptueshme për administratën e re kjo nuk do të jetë një temë parësore.
\"Ata kanë shqetësime të tjera, një politikë e re e ndryshimit të kufijve kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm e intensiv. Kjo nuk pritet aspak tani.\"
\"Mendoj, se administrata e Trumpit, kur të zhvillojë politikën për këtë rajon, e kjo do zgjasë disa muaj, sepse ende nuk është përcaktuar personeli, do të ecë në drejtimin mundësisht të ruajë stabilitetin në Ballkan. Jam gati i sigurt që tendenca e politikës amerikane do të jetë në drejtim të ruajtjes së statusquosë. Pa harruar që ndryshimi i kufijve nuk do të thotë patjetër paqe, sidomos në Ballkan.\"
\"Po, këto janë gjoja-zgjidhje, që në fakt rindezin konflikte të reja. Edhe aktorët kryesorë politikë në rajon janë të mendimit se rindarja e territoreve do të sillte më shumë tragjedi se zgjidhje\", ka theksuar Lehne.