Lambsdorff: Serbi kurrë në BE, pa zgjidhur problemet me Kosovën
Belrin, 13 shtator - Nikolaus Graf Lambsdorff, i Ngarkuar për Evropën Juglindore, Turqinë dhe EFTA-n në Ministrinë e Jashtme gjermane ka deklaruar se pa vendosjen e bazave të shëndosha në raportet me Kosovën, Serbia nuk ka perspektivë integrimi në BE.
Në një intervistë për deutche welle Lambsdorff ka thënë se Kosova më nuk është nën mbikqyrjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), që do të thotë se ajo tani e ka marrë përgjegjësinë për vendin dhe se sipas tij Kosova është e pjekur për një vendim të tillë.
"Me rastin e marrjes së vendimit në Grupin Drejtues Ndërkombëtar është bërë fjalë së pari nëse ICO-ja e udhëhequr nga Pieter Feith i ka plotësuar të gjitha kushtet e mundura sipas planit të Ahtisaarit. Grupi ka konstatuar se me të vërtetë janë plotësuar kushtet e parapara. Por natyrisht që ne e dimë se disa kushte, si për shembull veriu i Kosovës, nuk janë plotësuar dhe ai nuk ka mundur t'i plotësojë ato. Grupi ka konstatuar që ICO-ja duhet të mbyllet dhe që të shpërbëhet vetë Grupi", ka theksuar ai.
Lambsdorff ka thënë se probleme ka jo vetëm në Kosovë, por kanë dhe vendet e tjera të rajonit.
"Me të vërtetë mund të shtrohet pyetja nëse disa institucione janë të gatshme, e madje edhe nëse ato duan, të realizojnë të gjitha detyrat. Nuk duhet harruar se Kosova është e pavarur vetëm prej katër vjet e gjysmë. Institucionet janë shumë të reja dhe pa përvojë. Mund të konstatohet se shumë institucione në Kosovë, përfshirë këtu edhe Parlamentin, kanë plotësuar shumë kushte. Por njëkohësisht puna do të vazhdojë. Institucionet duhet të forcohen dhe të ndihmohen për të mbledhur përvojat e nevojshme, në mënyrë që në Kosovë të krijohet një shoqëri moderne, një shoqëri multietnike."
Lambsdorff ka theksuar se është e vërtetë që Gjermania që nga fillimi është angazhuar në njërën anë të ndihmojë Kosovën dhe në anën tjetër të normalizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
"Normalizimi nuk është arritur ende. Ndaj ne do të vazhdojmë të mbetemi aktivë dhe i mbështesim përpjekjet e zonjës Ashton, e cila ka shprehur gatishmëri që personalisht të angazhohet në këtë çështje. Nuk mendoj se situata është tepër keq. Udhëheqësia e re në Beograd dhe udhëheqësia kosovare e dinë se zgjidhja e çështjeve kontestuese është në interesin e të dy vendeve dhe se këto çështje duhet të zgjidhen, nëse këto dy vende duan të shkojnë përpara", ka theksuar ai.
Të dyja vendet, si Serbia ashtu edhe Kosova sipas tij kanë një perspektivë evropiane. Kjo do të thotë se këto dy vende mund të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Serbia sipas Lambsdorff nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE pa e zgjidhur këtë problem.
"Këtu nuk flasim për njohjen e Republikës së Kosovës, por për vendosjen e raporteve mbi baza të qëndrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo bazë më pas duhet të mundësojë ngritjen e raporteve mes këtyre dy vendeve. Pra edhe një herë: këto dy vende, si edhe të gjitha vendet e rajonit kanë një perspektivë evropiane. Ndërkohë që të dy këto vende kanë deklaruar se duan të jenë pjesë e BE-së", ka thënë Lambsdorff.