Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për nderimin e presidentit Rugova
Tiranë, 29 janar - Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar rezolutën për nderimin dhe mirënjohjen e thellë nga Republika e Shqipërisë për figurën e presidentit, Ibrahim Rugova. Kjo rezolutë u propozua nga Partia Demokratike një javë më parë.
Rezoluta mban në konsideratë rëndësinë madhore të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për të stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si edhe nderon me mirënjohje rolin e jashtëzakonshëm e udhëheqës të Presidentit Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e shqiptarëve drejt shtetit të pavarur të Kosovës.
Në një njoftim të Kuvendit thuhet se Kuvendi i Shqipërisë vlerëson lart punën intelektuale dhe aktivitetin politik e shtetëror të Presidentit Ibrahim Rugova dhe riafirmon mbështetjen e plotë për rrugëtimin europian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës si dhe vlerëson mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.
Duke përqafuar trashëgiminë e veprës së tij thelbësore për konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe duke çmuar kontributin, vlerat dhe sakrificat e popullit të Kosovës, si dhe të patriotëve të shquar të saj Kuvendi i Shqipërisë nderon me mirënjohje të thellë kombëtare dhe me krenari patriotike punën intelektuale, politike dhe shtetërore të Presidentit Ibrahim Rugova.\"
\"Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë mbështet nismën për vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në një nga sheshet kryesore të qytetit të Tiranës dhe i sugjeron Bashkisë së Tiranës të finalizojë këtë nismë, shkruhet në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.