13 Janar 2025

Kryeparlamentari Veseli po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri

Prishtinë, 10 shkurt - Me ftesë të kryeparlamentarit shqiptar, Ilir Meta dhe në funksion të avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht, parlamenteve të tyre, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët: Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe Glauk Konjufca, ka filluar sot vizitën e tij zyrtare në Shqipëri.

Që në fillim, kryetari Veseli u prit nga homologu i tij, Meta. Në takim, të dy kryetarët diskutuan gjerësisht rreth bashkëpunimit që të dy parlamentet kanë kultivuar ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të zgjerohet dhe avancohet edhe më tej, sidomos midis administratave, duke vjelë reciprokisht përvojat e mira parlamentare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, pasi shprehu mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga Shqipëria ndër vite, tha se ndodhet në Tiranë për të çuar përpara mesazhin e bashkëpunimit, ndërsa shtoi se moment të rëndësishëm përbëjnë transformimet e mëdha veçanërisht në fushën ekonomike.

Ai tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, ndërsa kjo vizitë do të shërbejë si moment i ri i dinamizmit të marrëdhënieve ndërparlamentare.

“Në kuadër të integrimeve drejt BE-së, kemi vendosur të kemi komunikime të përbashkëta. Kemi shumë aspekte ku mund të shërbejë përvoja e Kuvendit të Shqipërisë, andaj edhe presim mbështetje të plotë në këtë proces”, u shpreh Veseli.

Duke i konsideruar marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë si model për rajonin, kryetari Veseli foli për iniciativën e kooperimit parlamentar ndër regjional në Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, vlerësoi se kjo vizitë do t’i japë një shtysë të re dhe më dinamike marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai siguroi kryetarin Veseli se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në çdo drejtim, sidomos në pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale.

Të dy homologët ndanë mendime edhe për zhvillimet aktuale në të dyja vendet. Në një paraqitje të përbashkët me kryeparlamentarin Meta para mediave, kryeparlamentari Veseli u bëri apel qytetarëve të Kosovës që të mos braktisin vendin, të kenë më shumë durim dhe perspektivën e tyre ta shohin në Kosovë.

Në vazhdim të vizitës, kreu i Kuvendit të Kosovës u prit edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Në takim u diskutua për zhvillimet në Kosovë e rajon, si dhe prioritetet parlamentare të të dyja vendeve.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi presidentin Nishani për kontributin e tij në ndihmën për konsolidimin dhe shtyrjen përpara të marrëdhënieve mes të dy vendeve tona, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës e institucioneve të saj në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se nuk do të mungojnë angazhimet integruese euroatlantike, përderisa sfida të vazhdueshme i konsderoi mirëqenien e qytetarëve, arsimin cilësor dhe shëndetësinë e përparuar.

Presidenti Nishani, ndërkaq, vlerësoi kontributin e kryeparlamentarit Veseli për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e parlamentarizmit botëror në kuadër të diplomacisë parlamentare, si dhe në trajtimin me maturi nga ana e Kuvendit të sfidave të brendshme që kalon Kosova.

Ai sugjeroi takime sa më të shpeshta të komisioneve të ndryshme parlamentare të dy vendeve tona, për të kontribuar sa më shumë në përafrimin e legjislacionit në të gjitha fushat. 

Agjenda e vizitës së kryetarit të Kuvendit në Tiranë, vazhdon me takime të tjera me drejtues të lartë të institucioneve shqiptare.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)