10 Janar 2025

Kroacia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset

Zagreb, 6 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Republikës së Kroacisë, zotëri Ivo Josipoviq, me ftesë të të cilit po qëndron për vizitë zyrtare në Zagreb.

Presidentja Jahjaga në këtë vizitë zyrtare në Kroaci po shoqërohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku dhe ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimit tregtar dhe posaçërisht zgjerimin e investimeve të përbashkëta të bizneseve kroate e të Kosovës.

Ajo e përgëzoi presidentin kroat për përfundimin e procesit të anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe tha se ky është një sinjal i fuqishëm për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, meqë Kroacia ka dëshmuar se reformat në këtë pjesë të Evropës janë të mundshme.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kroacia është një shembull shumë i mirë dhe i dobishëm për Kosovën në procesin e saj të integrimeve evropiane dhe ajo mund ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugë.

Presidentja Jahjaga tha se një çështje shumë e rëndësishme për Kosovën është marrja e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave për qytetarët e saj dhe vlerësoi se institucionet e Republikës së Kosovës  po punojnë për t\'i përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në këtë proces.

Ajo tha se procesi i liberalizimit të vizave duhet të zhvillohet mbi parimet dhe kriteret e njëjta si edhe për vendet e tjera në rajon dhe në përputhje me politikat për zgjerim të BE-së. 

Jahjaga tha se marrja e udhërrëfyesit do të dërgonte një porosi të qartë për qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe ata gëzojnë një perspektivë të sigurt evropiane.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e Kroacisë është shumë e nevojshme për ta mbajtur të hapur atë. 

Ajo vlerësoi se studimi i fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, është një hap përpara dhe shënon një marrëdhënie të re ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se për vizionin evropian dhe agjendën evropiane në Kosovë ka një përkushtim të përgjithshëm dhe mbipartiak dhe kjo është jetike për vendin.

Ajo tha se përparimi në fushën e sundimit të ligjit është përparësi e institucioneve të Kosovës dhe nënvizoi se ka krijuar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit për të bashkërenduar veprimet institucionale në luftën kundër korrupsionit. Presidentja Jahjaga tha se Kroacia mund të ndihmojë Kosovën në këtë fushë përmes ekspertizës së saj, nga shembulli i vet në luftën kundër korrupsionit.

Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë theksuan se komuniteti shqiptar në Kroaci dhe ai kroat në Kosovë janë urë lidhëse për të dyja vendet që kanë treguar shembullin më të mirë të respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josioviq, theksoi se vendi i tij dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira mes vete dhe se bashkëpunimi ndërmjet tyre duhet të thellohet edhe më shumë.

Ai tha se Kroacia dhe Kosova përveç në fushën ekonomike dhe politike duhet të shtrijnë bashkëpunimin edhe në fushatë tjera e në veçanti në kulturë, arsim dhe shkencë.

Presidenti Josipoviq tha se Kroacia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset përfshirë edhe atë të integrimeve euro-atlantike dhe rajonale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)