Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës
Zagreb, 26 mars - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u pritën në Zagreb nga Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq.
Gjatë takimit të përbashkët të ministrit Demolli dhe Presidentes Grabar- Kitaroviq u konfirmuan edhe një herë marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet të dyja shteteve si dhe dëshira e dyanshme për zgjerimin e bashkëpunimit të suksesshëm në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Ministri Haki Demolli e ka falënderuar Presidenten Grabar- Kitaroviq për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme që shteti i Kroacisë ka dhënë Forcës së Sigurisë dhe shtetit të Kosovës, si dhe ka potencuar një varg rezultatesh konkrete nga ky bashkëpunim, sidomos në fushën e trajnimeve dhe shkollimeve ushtarake.
Nga ana e saj, Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq ka ritheksuar se Republika e Kroacisë do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën e saj dhe në aspiratën e saj për integrime Euro-Atlantike, si dhe për proceset e ardhshme të reformave.
Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua për potencialet e bashkëpunimit në industrinë ushtarake , për të cilën u konfirmua që nënkuptohen sikurse për ekspozita e ardhshme ushtarake dhe hapësirës ajrore të Adriatikut(ASAD 2015), në Split, të cilën pala kosovare ka për qëllim ta vizitoi.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare në shtetin e Kroacisë e ministrit Demolli dhe gjeneral Ramës prej që Ministri dhe Komandanti kanë marrë detyrat për të drejtuar Ministrinë, përkatësisht Forcën e Sigurisë së Kosovës.