KQZ vëzhgon zgjedhjet vendore në Shqipëri
Tiranë, 20 qershor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po qëndron në Shqipëri për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore që do të mbahen më 21 qershor.
Gjatë ditës së shtunë delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kryesuar nga kryetarja Valdete Daka dhe në përbërje të anëtarëve Ilir Gashi, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Eshref Vishi dhe Ergit Qeli, janë pritur në takim nga kryetarja Lefterije Luzi dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi, në emër të KQZ-së së Kosovës, kryetarja Daka uroi që dita e nesërme të përmbyllet suksesshëm. Ne urojmë që dita e nesërme të jetë sa më e mbarë dhe të arrihet qëllimi që zgjedhjet të jenë të suksesshme, tha kryetarja Daka.
Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, Lefterije Luzi falënderoi Komsionin Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës që i është përgjigjur ftesës për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u dakordua për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve edhe në të ardhmen.
Në Ditën e Zgjedhjeve anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jenë prezentë në disa Qendra të Votimit për të përcjellur nga afër organizimin e zgjedhjeve.