Kosovë-Maqedoni, kufiri vetëm me letërnjoftim
Shkup, 22 janar - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se kalimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, brenda gjashtë muajve do të bëhet vetëm me letërnjoftime.
Është vullneti i Kosovës dhe i Maqedonisë, për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Besoj që gjashtëmujorin e ardhshëm do të udhëtojmë me letërnjoftime, por janë disa procedura teknike që duhet kaluar, ka thënë Thaçi, në konferencën e përbashkët me dhe homologun e tij maqedonas Nikolla Poposki.
Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Poposki, ka deklaruar se Maqedonia ka marrëdhënie shumë të mira me Kosovën dhe se janë duke punuar në shumë projekte të përbashkëta.
Pika të përbashkëta të bisedimeve ishin tre: njëra, mundësia për takim të përbashkët qeveritar, pastaj lehtësimin e kushteve për kalimin e kufirit si dhe çështja e tretë rritja e bashkëpunimit rajonal dhe intensifikimin e intensitetit të projekteve, të cilët mund ti promovojmë si kontekst i përbashkët në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike, ka deklaruar Poposki.