Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon
Berlin, 13 qershor - Gjatë qëndrimit të saj në Gjermani, ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, zhvilloj takime me përfaqësues të Qeverisë Gjermane, me ministrin e Shtetit për Evropën z. Michael Roth dhe me Dr. Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.
Në takimin me ministrin e Shtetit për Evropën, Michael Roth, ministrja Tahiri e njohu zyrtarin e lartë gjerman me reformat e thella të Republikës së Kosovës në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik të vendit si prioritete kryesore për forcimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike.
Ajo theksoi se Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit.
Gjatë takimit u bisedua rreth thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme të Gjermanisë për perspektivën evropiane të Kosovës, me ç\'rast ministrja Tahiri theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhin shpejtë për të siguruar Kosovën dhe popullin e saj se rruga e tyre për BE është e qartë dhe e sigurt.
Ministri gjerman Roth theksoi se Gjermania është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike, ndërkaq vlerësoi procesin e reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit.
Ai po ashtu theksoi se Gjermania mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë duke potencuar rëndësinë e përparimeve të mëtejme në këtë proces që do të ndihmoj dyja shtetet në rrugën e tyre për t\'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ministrja Tahiri zhvilloi takim edhe me Dr. Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, me të cilin në një bisedë të gjatë u diskutuan shumë aspekte të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe sidomos çështjet e reformave që i mundësojnë Kosovës ecje më të shpejtë drejtë Bashkimit Evropian.
Reichel shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën si dhe vazhdimin e mbështetjes për rrugën e reformave evropiane të Kosovës.
Ministrja Tahiri zhvilloi dhe aktivitete tjera ndër tjerash ajo mori pjesë në takimin e njëzetë ndërkombëtare të Lutjeve të Mëngjesit në Berlin, takim ky që bashkon lider, politikan deputet nga mbarë bota dhe të cilit iu drejtuan me fjalë rasti edhe Kryetari i Bundestagut të Gjermanisë Dr. Norbert Lammert dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Po ashtu, ishte e pranishme në seancën e Bundestagut Gjerman ku ndoqi fjalimin e ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier që iu kushtua zgjatjes së mandatit të KFOR-it në Kosovë.
Në këto aktivitete diplomatike ministrja Edita Tahiri, shoqërohej nga këshilltarët e saj Dren Zeka, Arjeta Rexhaj si dhe Artana Bardhi, Ministër Këshilltare në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani.