Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave
New York, 1 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, me komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për agjendën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për hapat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe reformat e tjera si pjesë e zhvillimit të vendit.
Lidhur me proceset integruese evropiane, kryeministri Isa Mustafa theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim, duke kërkuar përkrahje më të madhe të BE-së.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se Kosova i ka përmbushur kriteret për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe për liberalizimin e vizave, dhe se tashmë pret finalizimin e këtyre dy proceseve.
Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e BE-së për Kosovën.
Kryeministri Mustafa dhe komisioneri Avramopoulos biseduan edhe për proceset tjera në Kosovë, rajon dhe më gjerë.