11 Janar 2025

Kosova gjithmonë do të ketë përkrahjen e Senatit dhe Kongresit të SHBA-së

Washington, 15 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës zyrtare në Washington, takoi Kryetarin e Senatit amerikan, Orin Hatch si dhe kongresmenen Nita Lowey, e cila është në këtë detyrë që nga viti 1989, njohëse e mirë e rajonit të Ballkanit perëndimor, e posaçërisht shquhet si mike e përkrahëse e madhe e Kosovës. 

Kryetari Veseli e falënderoi kryesenatorin Hatch dhe kongresmenen Lowey për mbështetjen e SHBA-së për proceset historike që kaloi Kosova, duke e informuar atë për të arriturat dhe sfidat me të cilat aktualisht po ballafaqohet Kosova.

Kryetari Veseli shprehu përkushtimin, gatishmërinë dhe vullnetin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me SHBA-në.

 Ai me këtë rast, me theks të veçantë, kërkoi mbështetje për përfshirjen e Kosovës në iniciativa dhe programe të rëndësishme ndërkombëtare që fuqizojnë shtetësinë e saj.

Kryetari i Senatit, Hatch, e siguroi Kryetarin Veseli se nuk do të mungojë mbështetja e tij personale dhe e Senatit në përmbushjen e qëllimeve të Kosovës, duke potencuar që SHBA-ja nuk do të lejojë që një storie e suksesit, si Republika e Kosovës, të harrohet, por përkundrazi, do të vazhdojë rrugëtimin e përbashkët në fuqizimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq Kongresmenia Lowey theksoi se rajoni i Ballkanit vetëm nëpërmes dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mund të ecë përpara.

Gjithashtu, ajo ritheksoi se Kosova, e sidomos Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjithmonë do të kenë përkrahjen e saj.

Znj. Lowey ndër të tjera theksoi punën e shkëlqyer të Kryetarit Veseli në Kuvendin e Kosovës dhe pret që kjo punë të vazhdojë.

 Kryetari Veseli bisedoi po ashtu për zhvillimet në vend dhe rajon, si dhe për realizimin e agjendës së Kuvendit, duke mbetur të përkushtuar për procesin e integrimeve euro-atlantike, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)