Kosova është shtet me potenciale dhe ka mundësi të shumta për investitorët
Toronto, 13 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë Forumit Ekonomik Global të Torontos në Kanada, është takuar me themeluesin e këtij forumi Gil Remillardin.
Në këtë takim Thaçi i ka thënë Remillardit se Kosova është shtet me potencial dhe ka mundësi të shumta për investitorët e huaj. Në Forumin Ekonomik Global të Torontos takova edhe themeluesin e tij, z. Gil Remillard, me të cilin shkëmbyem ide rreth mundësive të prezantimit të Kosovës në aktivitetet që zhvillon ky forum. Kosova është shtet me potencial dhe mundësi të shumta për investitorët e huaj. Ligji për investime strategjike do të hapë mundësi për ardhjen e investitorëve të fuqishëm edhe nga Kanadaja. Stabiliteti dhe siguria në Kosovë premtojnë që vendi ynë të bëhet bazë e investimeve kanadeze në rajon, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në Facebook.
Po ashtu Thaçi e ka njoftuar Remillardin me mundësitë e mëdha që ka Kosova, veçanërisht në fushën e minierave dhe të energjisë. Ai shprehu kënaqësi për pjesëmarrjen e Kosovës në forumin e sivjetmë, si mundësi e takimit me përfaqësues të kompanive të fuqishme të Kanadasë. Sipas themeluesit të Forumit të Torontos, pjesëmarrja e Kosovës ka ngritur interesim edhe te pjesëmarrësit e tjerë, ka shkruar Thaçi.