Kosova dhe Serbia të mërkurën takohen në Bruksel
Beograd, 6 tetor - Përfaqësuesit e Prishtinës, Beogradit dhe të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të mërkurën në Bruksel çështjet e pazgjidhura nga Protokolli për menaxhimin e integruar të kufirit, ka deklaruar shefi i delegacionit serb në bisedime, Dejan Paviqeviq.
Ky proces do të zgjasë për një kohë. Nuk duhet pritur që do të ndodhë diçka e madhe dhe e rëndësishme javën e ardhshme, ka thënë Paviqeviq për mediat në Beograd.
Sipas tij, Serbia ka formuar grupin punues, i cili do të krijojë platformën e bisedimeve për kontrollin e kufirit.
Paviqeviq ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk do të lejojë që në linjat administrative të ketë shenja të Kosovës.
Do të ketë vetëm shenja informative, pa shenja të shtetësisë, të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, ka thënë Paviqeviq.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit qysh në muajin shkurt, porse zbatimi i saj ka ngecur.