Kopf uron Mustafen me rastin e zgjedhjes si Kryeministër
Vjenë, 15 dhjetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, pranoi një telegram urimi nga nënkryetari i Parlamentit të Austrisë, Karlheinz Kopf, me rastin e zgjedhjes si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Nënkryetari Kopf në telegramin e tij ka uruar Kryeministrin Mustafa për zgjedhjen e tij dhe për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Shumë sfida dhe reforma duhet të ballafaqohen, në mënyrë që Kosova të ecë në rrugën e saj evropiane. Përkushtimi dhe angazhimi për të ndjekur rrugën evropiane nuk është i lehtë, por sigurisht se është e vetmja rrugë, shkruan nënkryetari Kopf.
Nënkryetari i parlamentit austriak, Kopf ka theksuar vullnetin e shtetit të Austrisë për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin e mirë, sidomos në fushën e ekonomisë.
Austria dhe Republika e Kosovës kanë një histori të gjatë të mbështetjes së njëri-tjetrit në nivele të ndryshme. Shpresoj se do të vazhdojmë të fuqizojmë marrëdhëniet ekonomike në mes të shteteve tona, ka thënë në telegramin e tij të urimit nënkryetari Kopf.