Kongresistët ritheksuan përkrahjen e SHBA-së për Kosovën
Washington, 1 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Washington.
Ajo takoi në Kapitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.
Presidentja Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.
Presidentja Jahjaga njoftoi kongresistët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit.
Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.
Presidentja Jahjaga gjithashtu informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit.
Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.
Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Presidentja theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon.
Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit.
Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.