Komisioni Evropian sot do të miratojë MSA-në me Kosovën
Bruksel, 30 prill - Pa bërë ndonjë zhurmë publike, duke pasur parasysh se procesi i zgjerimit nuk është edhe aq i popullarizuar këto ditë, dhe për të mos ngacmuar kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës, Komisioni Evropian do të miratojë të enjten, me procedurë të shkruar, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.
Me këtë rast në Bruksel nuk është paraparë ndonjë zhvillim dhe këtij vendimi duan ti japin vetëm një karakter procedural, edhe pse për Kosovën pa dyshim ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, sepse është marrëveshja e parë gjithëpërfshirëse që Kosova bën me Bashkimin Evropian dhe në bazë të së cilës do të rregullohen raportet për disa vjet në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Me këtë miratim, Komisioni Evropian do të përfundojë pjesën e vet të punës rreth MSA-së me Kosovën, dhe pastaj ajo do ti kalojë Këshillit ku, me konsensus të të gjitha vendeve anëtare, duhet të miratohet vendimi për të autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes.
Më pas ajo mund të nënshkruhet.
Zyrtarët evropianë nuk presin ndonjë pengesë për nënshkrimin e MSA-së, sepse nga teksti i saj, thonë disa prej tyre, bëhet qartë se në asnjë mënyrë Kosova me këtë marrëveshje nuk trajtohet si shtet sovran dhe i pavarur.
/Koha Ditore/