Kadaj-Bujupi dhe Pajaziti në programin studimor në SHBA
Washington, 16 shkurt - Me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Donika Kadaj- Bujupi dhe Zenun Pajaziti, po marrin pjesë në një programin studimor Lidershipi në Ekonominë Digjitale, i cili po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Programi është organizuar në partneritet me Institutin për Qeverisje Përfaqësuese (IRG), dhe përqendrohet kryesisht në trendet që ndërlidhen me ndikimin e teknologjisë informative në politikën globale dhe lokale.
Në kuadër të programit do të zhvillohen aktivitete të shumta në Kongresin e SHBA-ve, në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në institucionet e organizatat joqeveritare të cilat punojnë në zhvillimin e demokracisë.
Gjatë këtyre aktiviteteve përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovë patën rastin të këmbejnë përvojat e tyre me kongresmenë, senatorë, ekspertë në zhvillimin e politikave dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit.
Gjatë javës së dytë të programit, pjesëmarrësit do të zhvillojnë aktivitete në Silicon Valley, Kaliforni, ku përmes tryezave të diskutimit dhe vizitave studimore, në selitë e Twitter dhe Facebook, do të kenë rastin që nga afër të mësojnë për vënien në zbatim të teknologjisë informative në aktivitetet politike.
Përdorimi i mediave sociale dhe platformave digjitale nga deputetët, për të komunikuar me qytetarë, shfrytëzimi efikas i platformave të rrjeteve sociale gjatë fushatave zgjedhore dhe rëndësia e përfshirjes së teknologjisë në sistemet edukative për tu përshtatur me trendet në ekonominë digjitale, pritet të jenë disa nga temat të cilat do të trajtohen.
Në këtë program studimor po marrin pjesë përfaqësues nga parlamentet e 10 shteteve të ndryshme, nga katër kontinente, duke ofruar kështu një mundësi unike për të mësuar këmbyer përvojat dhe praktikat më të mira.
Ky program studimor synon të ndihmojnë pjesëmarrësit që të zgjerojnë njohuritë e tyre mbi aplikimin e teknologjisë në aktivitetet politike, dhe të kontribuoj në rritjen e mbështetjes për iniciativat që synojnë vënien në përdorim të teknologjisë me qëllim të përmirësimit të qasjes dhe ndërveprimit të qytetarëve me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në Kuvend.