Jebali: Njohja nga Tunizia, çështje e kryer
Tuniz, 18 janar - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në vazhdim të vizitës zyrtare në Tunizi, është takuar me kryeministrin e Tunizisë, Hamadi Jebali dhe me liderin partisë më të madhe parlamentare tuniziane, En-Nahda, Rashid al-Ghannushi.
Gjatë takimit në kabinetin qeveritar me kryeministrin Jebali, ministri Hoxhaj shprehu admirimin e tij për kauzën dhe sakrificën e personalitetit të kryeministrit kundër regjimit të Ben Ali, duke theksuar se populli dhe institucionet e Kosovës kanë ndjerë për së afërmi vuajtjet tuaja dhe përpjekjet për liri, dinjitet dhe demokraci.
Hoxhaj po ashtu theksoi se është i impresionuar me vizionin dhe zhvillimet e shpejta në Tunizi si dhe rimëkëmbjen e vendit drejt një tranzicioni të qëndrueshëm dhe pluralist.
Pranvera Arabe si pikënisje në Tunizi ka shkaktuar jehonë të madhe përtej këtij rajoni, prandaj jam i lumtur që shoh për së afërmi tërë këtë potencial të vendit tuaj, tha Hoxhaj, gjatë takimit.
Ministri Hoxhaj i dorëzoi kryeministrit Jebali edhe kërkesën formale të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për njohjen e Republikës së Kosovës nga Tunizia, e cila u pranua me kënaqësi nga kryeministri tunizian.
Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi se pavarësia e Kosovës është aspiratë dhe vullnet i një populli i cili ka kaluar nëpër shumë sfida të cilat bota arabe duhet ti çmojë dhe të mos mbetet e vonuar me veprimet e saj në raport me Kosovën.
Në anën tjetër, kryeministri i Tunizisë, Hamadi Jebali, theksoi se shteti i tij nuk ka asnjë problem, i cili do të ndalonte të njohë shtetësinë e Kosovës.
Dy bashkëbiseduesit ndanë besimin se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve do të jetë vetëm fillimi i një periudhe të re në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, e cila do të shërbejë si bazë e mirë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe turistik.
Kryeministri Jebali pranoi që të prononcohet për media, si dhe të deklaroi hapur pozicionin afirmativ zyrtar të Tunizisë lidhur me Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u takua edhe me kryetarin e Partisë En-Nahda, Rashid al-Ghannushi, lider i partisë më të madhe parlamentare në Tunizi.
Gjatë takimit miqësor, u shkëmbyen pikëpamjet e përbashkëta për nevojën e njohjes së Kosovës nga Tunizia në një kohë sa më të shpejt.
Partia En-Nahda gëzon fuqinë më të madhe politike në vend dhe kryeson me disa poste qeveritare përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ministri Hoxhaj përgëzoi kryetarin Ghannushi për suksesin dhe të arriturat e Tunizisë në rrëzimin e regjimit autoritativ dhe shprehu mirënjohjen e tij në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës.
Ai theksoi se rrëzimi i ish-regjimit ka krijuar mundësi unike për njohjen e Kosovës dhe krijimin e rrethanave për bashkëpunim reciprok, kurse mungesa e njohjes ka krijuar pengesa dhe barriera ndërmjet dy popujve.
Lideri i Partisë En-Nahda, Rashid al-Ghannushi, theksoi admirimin e tij për kauzën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, si dhe qartësoi se njohja e Kosovës do të duhej të kishte ndodhur qysh më parë, por se problemet e brendshme me tranzicion nuk kanë lejuar që ky vendim të merret më herët.
Ai e bëri të qartë se njohja e Kosovës është vetëm një hap i vogël që Tunizia mund ta bëj në ndërtimin e marrëdhënieve të reja bilaterale pas rënies së regjimit të vjetër, duke theksuar se do të ndikojë tek Qeveria dhe Presidenca që njohja të formalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.