Jahjaga në Samitit Global të Grave në Parlament në Abu Dhabi
Abu Dhabi, 15 dhjetor - Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përmbyllur vizitën e saj dyditore në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe ku ka marrë pjesë në punimet e Samitit Global të Grave në Parlament që u zhvillua nën patronatin e Mbretëreshës së EBA, Lartmadhërisë së saj, Sheikha Fatima Mint Mubarak.
Pjesëmarrja e ish-presidentës Jahjaga në samitin me moton Të bashkuar në krijimin e së ardhmës u bë me ftesë të presidentës së Këshillit Kombëtar Federal të Emirateve të Bashkuara Arabe, Amal al-Qubaisi.
Në kuadër të punimeve të këtij samiti, ish-presidentja Jahjaga ka zhvilluar një varg takimesh me gra udhëheqëse të disa parlamenteve në botë me të cilat bisedoi për mënyrat e zgjidhjes së përbashkët të problemeve aktuale globale në politikë, ekonomi, ambient, cështjet sociale dhe të tjera.
Takimet e tilla u zhvilluan kryesisht me përfaqëueset e shteteve që nuk kanë njohur ende pavarësisë së Kosovës dhe kishin për qëllim gjetjet e një gjuhe të përbashkët për tejkalimin e sfidave të përbashkëta në sektorë të ndryshëm.
Në ditën e parë të qëndrimit në Abu Dhabi, ish-presidentja e Kosovës zhvillloi një takim dreke me Kryesuesen e Këshillit të Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë, Valentina Matvienko.
Ish-presidentja Jahjaga u takua edhe me presidenten e Senatit dhe Zëvendëspresidentën e Argjentinës, Gabriela Michetti, dhe me presidenten e Parlamentit Latino Amerikan dhe Karibien, Blanca Ruiz Alcala.
Temë boshte e këtyre takimeve ishte fuqizimi i gruas në vendimmarrje dhe gjetja e modaliteteve të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.
Ish-presidentja Jahjaga pati rastin të takojë edhe shumë gra të tjera që dallohen në fushat ku veprojnë sic është pilotja e parë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mariam Al Mansouri, e cila ka udhëhequr disa fushata të sulemeve ajorire ndaj ISIS-it.
Gjatë qëndrimit të saj në Abu Dhabi, ish-presidentja Jahjaga vizitoi gjithashtu Xhaminë e Madhe Sheikh Zayed. Xhamia që mban emrin e themeluesit dhe presidentit të parë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, është një ndër dhjetë xhamitë më të mëdha në botë.