Jahjaga mori pjesë në marshin e madh në Paris
Paris, 11 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në marshin e madh Republikan, të organizuar në kryeqytetin e Francës, Paris, në nderim të viktimave të sulmit mbi Charlie Hebdo.
Presidentja Jahjaga ishte e shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, zotëri Hashim Thaçi. Përpara fillimit të marshit, Presidentja Jahjaga dhe ministri Thaçi u pritën në Pallatin presidencial nga Presidenti i Republikës së Francës, Francois Hollande, të cilit i shprehën ngushëllimet e popullit të Kosovës për viktimat e aktit terrorist në Paris ditë më parë.
Në marshin republikan, në nderim të viktimave të sulmit terrorist në Paris, morën pjesë qindra mijëra qytetarë. Në marshin republikan pjesëmarrës ishin president i Komisionit Evropian, Jean Claud Juncker, kancelarja e Gjermanisë, zonja Angela Merkel, kryeministri i Britanisë së Madhe, zotëri David Cameroon, kryeministri i Italisë, zotëri Matteo Renzi, kryeministri i Izraelit, zotëri Benjamin Netanjahu, kryeministri i Shqipërisë, zotëri Edi Rama, si dhe udhëheqës të shumtë të vendeve të ndryshme të botës.
Presidentja Jahjaga ka theksuar se marshi në Paris dëshmon solidaritetin e botës demokratike me popullin e Francës, që ka përjetuar këto ditë akte të rënda të barbarisë mbi qytetarët e saj dhe sulme mbi një prej vlerave më të çmuara të shoqërisë - lirinë e shprehjes dhe të fjalës. Presidentja Jahjaga tha se sulmet mbi vlerat demokratike dhe mbi lirinë e shoqërive tona nuk mund të na zmbrapsin nga lufta e përbashkët për ndërtimin e një bote më të sigurt.