Jahjaga merr mbështetje nga presidentja e Zvicrës
Bernë, 16 mars - Presidentja e Kosovës, Atofete Jahjaga u prit sot në Bernë nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga, në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër.
Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Sommaruga biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të posaçëm në shtimin e investimeve të afaristëve nga Zvicra në Kosovë, që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ato biseduan edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë, migrimin ilegal dhe sundimin e ligjit, si dhe perspektivën integruese të vendit.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po punon në krijimin e një klime të sigurt të biznesit dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të vendosur sundimin e ligjit dhe një shtet të së drejtës që mundëson edhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidentja Jajjaga tha se ndihma e Zvicrës është e rëndësishme për Kosovën, marrë parasysh edhe një numër të madh të qytetarëve të Kosovës që janë shtetas të Zvicrës dhe që po e ndihmojnë vendin e tyre.
Presidentja Somaruga ndërkaq e vlerësoi të domosdoshme shkëmbimin e vizitave që shënon vazhdimësi të bashkëpunimit. Ajo vlerësoi se Kosova dhe Zvicra kane një marrëdhënie shumë të mirë ndërmjet vete dhe këtë duhet shfrytëzuar për të ndihmuar edhe shtrirjen e bashkëpunimit në çdo fushë e në veçanti në fushën ekonomike.
Të dyja presidentet diskutuan edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët ndërmjet dy vendeve që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës.