13 Janar 2025

Jahjaga kërkoi nga Papa Francesku njohjen e Pavarësisë

Vatikan, 21 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private nga Shenjtëria e Tij, Papa Francesku.

Në një takim mbi 40-minutësh dhe shumë të përzemërt, Presidentja Jahjaga i shprehu Papa Franceskut mirënjohjen për pritjen, duke e vlerësuar si një gjest të besimit dhe të njohjes së përpjekjeve të Kosovës për të forcuar harmoninë ndërfetare, si dhe të ambicieve për të jetuar në paqe dhe liri të një shoqërie të qytetarëve të barabartë.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Papa Franceskun për porositë e Tij për shpresë dhe gjithëpërfshirje dhe e vlerësoi rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj.

Ajo tha se në rrugën e saj të vështirë, Kosova ka qenë e inspiruar nga udhëzimet e Papa Gjon Palit II dhe durimi dhe humaniteti i Nënës Terezë.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot, si një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës dhe tha se shpreson që edhe Selia e Shenjtë do të vendosë që ta mbështesë vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike.

Duke folur për qëllimet strategjike të Kosovës për t’u bërë anëtare e barabartë e organizatave ndërkombëtare, para së gjithash e BE-së, OKB-së dhe NATO-s, Presidentja Jahjaga tha se Kosova synon të bëhet një vlerë e shtuar, bazuar në traditën e saj të diversitetit dhe multikulturalizmit dhe të bashkëjetesës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim inspirues i harmonisë ndërfetare dhe i barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.

Ajo tha se pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur multietnicitetin dhe multikulturalizmin, Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve fetarë, të tri religjioneve, të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova sot shënon një rrëfim suksesi të përbashkët të popullit dhe të institucioneve të saj si dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit dhe si promovuese e fqinjësisë së mirë, duke hapur rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, për të cilën ka konsensus të plotë të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim.               

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)