13 Janar 2025

Jahjaga e Thaçi në marshin paqësor në Paris

Paris, 11 janar - Personalitetet më të larta dhe udhëheqës botërorë, përfshi dhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama , priten t’u bashkohen rreth 1 milion personave që do të marrin pjesë në marshimin e unitetit, në Paris të Francës, në shenjë solidarizimi por edhe kundërshtimi njëkohësisht ndaj atentateve terroriste që u morën jetën 17 personave.

SHBA dhe Evropa shprehën solidaritetin e tyre me Parisin, ku të gjithë drejtuesit evropianë do të shkojnë të manifestojnë të dielën për të mbështetur Francën, e zhytur në zi si pasojë e atentateve të përgjakshme pasuar nga pengmarrjet duke përjetuar një tragjedi.

Ndërkohë që këto ngjarje të pazakonta që prej 40 vjetësh në Francë vazhdojnë të trondisin mbarë botën, presidenti amerikan shfaqi solidaritetin e SHBA-së kundrejt Francës duke e vënë theksin tek vlerat universale të përbashkëta si liria.

”Presidenti francez, François Hollande do të marrë pjesë nesër në ”marshimin republikan” në Paris në kujtim të viktimave të masakrës së kryer nga tre agresorë të mërkurën, të enjten dhe të premten”, njoftoi dje presidenca.
 
Edhe drejtuesit kryesorë evropianë si kryeministri britanik David Cameron, ai spanjoll Mariano Rajoy, kancelarja gjermane Angela Merkel, italiani Matteo Renzi, drejtuesit evropianë Jean-Claude Juncker, Donald Tusk dhe Federica Mogherini, kanë njoftuar tashmë pjesëmarrjen e tyre në këtë manifestim me ftesë të François Hollande.

”Jam e impresionuar nga kohezioni i popullit francez përballë këtyre sulmeve barbare”, theksoi kancelarja gjermane Merkel, që do të shoqërohet nga ministri i Brendshëm, Thomas De Maiziere.

”Edhe kryeministri turk, Ahmet Davutollu ka konfirmuar pjesëmarrjen në manifestimin e të dielës në Paris kundër terrorizmit, organizuar pas sulmeve kundër ”Charlie Hebdo”. Davutollu do të jetë drejtuesi më i rëndësishëm i një vendi me shumicë myslimane i pranishëm në manifestim.

Zyrtarët francezë njoftuan “masa të jashtëzakonshme” për të mbrojtur jo vetëm turmat që priten të mblidhen pranë sheshit qëndror “Place de la Republique” të Parisit, por gjithashtu edhe praninë e liderëve të huaj që do të vënë në provë forcat e sigurisë të një vendi të goditur ndjeshëm nga dhuna e terrorizmi së fundi.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, ka nënvizuar masat e jashtëzakonshme të sigurisë në mbrojtje të personaliteteve VIP, si kryeministri i Britanisë, David Cameron, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, si dhe spanjolli Mariano Rajoy. Të tjerë personalitete do të jenë gjithashtu në krah të Presidentit francez, Francois Hollande, ndër të cilët përmenden ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, Mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe Mbretëresha Rania, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, si dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Cazeneuve dhe zyrtarë të tjerë thanë se 2300 oficerë policie, ashtu sikurse dhe forca paraushtarake, do të zbresin në terren gjatë së dielës. Personalitetet dhe udhëheqësit e botës do të mbrohen nga nga njësi speciale.

Veç këtyre masave, policë me snajpera, agjentë civilë dhe oficerë antiterrori do të jenë në ruajtjen e mbarëvajtjes së marshimit, ndërkohë që parkimi dhe qarkullimi i mjeteve do të kufizohet. Qeveria e Francës ka mbyllur thuajse të gjitha akset rrugore të Parisit, tha Cazeneuve. Sheshet publike të kryeqytetit francez do të shërbejnë si pika takimi mes liderëve botërorë.

Ndërkaq, hetuesit francezë janë ende duke mbledhur bashkë rrjetën e lidhjeve mes tre të dyshuarve terroristë të vrarë gjatë së premtes, si dhe lidhjet e tyre të dyshuara me Al Kaedën në Gadishullin Arabik (AQAP) dhe me grupe të tjera terroriste. Ata do të mbeten në nivel të lartë alarmi edhe gjatë vijimit të hetimeve, thonë zyrtarët.

Vendi vazhdon të jetë i tronditur nga tri ditët e terrorit, gjatë të cilave mbetën 17 të vdekur dhe me mijëra të tjerë zbritën në shesh për manifestime të heshtura gjatë së shtunës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)