12 Janar 2025

Jahjaga e Nishani biseduan për thellimin e bashkëpunimit

Prishtinë, 10 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u prit sot me nderimet më të larta shtetërore në vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga Presidenti Bujar Nishani.

Vizita zyrtare në Shqipëri e Presidentes Jahjaga po bëhet me ftesë të Presidentit Nishani dhe ajo sot u prit në Pallatin e Brigadave me gardën e nderit dhe me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Presidentja Jahjaga fillimisht zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin Nishani dhe pastaj e shoqëruar edhe nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zotëri Memli Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hykmete Bajrami, u takua me delegacionin e udhëhequr nga Presidenti Nishani dhe në të cilin ishte edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zotëri Edmond Panariti.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Nishani biseduan për çështjet e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në fushat e interesit të përbashkët e në veçanti përmes projekteve infrastrukturore dhe të zhvillimit ekonomik, pastaj për proceset e integrimeve evropiane dhe për ndërtimin e shtetit ligjor dhe forcimin e rendit dhe të ligjit, bashkëpunimin në fushën e sigurisë e posaçërisht në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të të gjithë rajonit, dhe me theks të veçantë në rrugën evropiane të Kosovës dhe të Shqipërisë.

"Shteti shqiptar i ka qëndruar besnik vlerave të përbashkëta për një shoqëri demokratike, të përparuar dhe gjithëpërfshirëse dhe e ka mbështetur bërjen e Kosovës shtet, duke na mbështetur në të gjitha fushat, e në veçanti në proceset integruese."

"Përkrahja juaj President Nishani dhe e Republikës së Shqipërisë për Kosovën, ka ndihmuar në përfshirjen tonë në mekanizmat, në nismat dhe në të gjitha proceset që të kontribuojmë në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe për krijimin e një marrëdhënieje të re midis të gjitha vendeve dhe të gjitha shteteve të Evropës Juglindore", theksoi Jahjaga.

"Të dyja shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri për rrugët tona drejt Bashkimit Evropian, por është një garantues i zhvillimit të shoqërive tona dhe gjithsesi i sigurisë, paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Shtetet tona në Evropën Juglindore tani duhet të tregojnë pak më shumë punë, më shumë aktivitete konkrete për një punë të fuqizuar, jo vetëm të ndihmojnë njëra-tjetrën, por edhe në procesin integrues, që është pikësynimi kryesor jo vetëm i Kosovës dhe i Shqipërisë, por i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ajo.

 Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në konferencën e përbashkët për media me presidenten Atifete Jahjaga ka folur edhe për vendimin e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por i duhur pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura”, është shprehur Nishani, duke shtuar se askush nuk mund të njollosë luftën heroike të UÇK-së.

“Askush nuk e eklipson apo tjetërson luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për popullin e Kosovës për popullin e Kosovës, që e mbështetën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE”, ka thënë Nishani.

Presidenti Nishani ka deklaruar së Kosova me të gjithë sfidat e mëdha gëzon një status të ri, plotësisht të merituar në rajon.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Statusi i ri i Kosovës e gjen edhe në dialogun e vendosur me Serbinë të dy shtetet janë në pozicione të barabarta”, ka thënë Nishani, duke shtuar se Shqipëria pret zbatimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)