Islanda ndalon trafikun ajror për shkak të shpërthimit të një vullkani
Rekjavik, 24 gusht - Si shumë vullkane të tjerë islandez, Bardarbunga, që ndodhet në juglindje të vendit, është i mbuluar nga akulli.
Islanda ndaloi trafikun ajror në zonën rreth vullkanit më të madh në vend, Bardarbunga, duke e kaluar nivelin e alarmit nga portokalli në të kuq pasi regjistruan një shpërthim të vogël, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Islandez (IMO).
Si shumë vullkane të tjerë islandez, Bardarbunga, që ndodhet në juglindje të vendit, është i mbuluar nga akulli.
Është duke u zhvilluar një shpërthim nën akullin që e mbulon, me shumë mundësi një shpërthim i vogël që nuk ka mundur të shkrijë këtë shtresë akulli, deklaroi Theodor Hervasson, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv të sektorit të alarmeve dhe të parashikimeve në IMO.
Për momentin, shpërthimi është konsideruar si një eveniment i vogël. Megjithatë, ende nuk e dimë nëse shpërthimi do të vazhdojë të mbetet nën akull apo jo, deklaroi drejtoria e policisë islandeze në një komunikatë.
Bardarbunga, lartësia e të cilit i kalon dy mijë metrat, kishte filluar aktivitetin më 16 gusht. Që prej asaj dite niveli i alarmit ishte portokalli, që do të thotë aktivitet i lartë ose në rritje me rrezikshmëri shpërthimi, por deri sot nuk kishte pasur shpërthime.