ISIS publikon videon e vrasjes së gazetarit
Damask, 20 gusht - Militantët ekstremistë të ISIS pretendojnë se kanë vrarë gazetarin amerikan, James Foley, i cili është rrëmbyer që në vitin 2012 në Siri.
ISIS ka publikuar në internet një video të ekzekutimit makabër të një personi, të cilit i pritet koka. Një militant, i cili flet me një theks britanik, thotë se vrasja e gazetarit është rezultat i drejtpërdrejt i bombardimeve amerikane në Irak.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se po punohet për të krijuar vërtetësinë e videos, por nëse kjo do të jetë e vërtetë, SHBA do të tronditej nga vrasja barbare e gazetarit.
Në rrjetin social Facebook, familja e Foley-t kërkoi durim, deri në vërtetimin e videos nga organet përkatëse.
Gazetari James Foley ka raportuar gjerësisht në të gjithë Lindjen e Mesme derisa u rrëmbye në 22 nëntorin e vitit 2012 në Siri.