ISIS kërcënon SHBA-të me sulme të ngjashëm me atë të 11 Shtatorit
Damask, 12 prill - Organizata terroriste ISIS ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një sulm të ngjashëm me atë të 11 Shtatorit të vitit 2001.
Kërcënimi i tyre është bërë përmes një videoje 1-minutëshe propagandistike të publikuar në internet.
Nuk do të ketë më siguri për amerikanët kudo nëpër botë. Është koha për shpagim, janë dy prej kërcënimeve që përcillen përmes saj. Xhihadistët sjellin në kujtesë se mbi 3 mijë njerëz u vranë gjatë sulmeve të 11 Shtatorit.
Në përfundim, video mbyllet me pasazhe nga sulmet e janarit në Paris, të cilat shoqërohen me mesazhin, Europa është shembulli, do të vijojmë me Amerikën.
Një ditë më parë, terroristët vranë me plumb në kokë 10 mjekë në Mosul, të cilët refuzuan të kuronin disa të plagosur nga radhët e militantëve të Shtetit Islamik.
Ata gjithashtu kanë nisur një fushatë të gjerë për shkatërrimin e muzeve, bibliotekave, veprave historike dhe kulturore të Irakut dhe Sirisë, pasi sipas tyre bien ndesh me parimet e Kuranit.